/media/4999/img_6729.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=132119975780000000

Mbahet trajnimi për Azhurnimin e 2 000 Qarqeve Regjistruese (AQR)

03/09/2019

Në ASK janë duke ndjekur trajnimin për Azhurnimin e Qarqeve Regjistruese (AQR) 50 anketues dhe 13 mbikëqyrës nga komuna të ndryshme të Kosovës.
Azhurnimi është duke u bërë me qëllim të përmirësimit të Kornizës së qarqeve regjistruese për nevoja të anketave të rregullta të ASK-së, si dhe për nevoja të përgatitjes së bazës hartografike për Regjistrimin e Popullsisë 2021.
Hapjen e trajnimit e bëri z. Avni Kastrati, drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale, i cili  vuri në pah rëndësinë e këtij projekti, veçanërisht për Regjistrimin e Popullsisë 2021. Sipas z. Kastrati, azhurnimi është i nevojshme për plotësimin e të dhënave aktuale në terren, që do të shërbejnë për planifikimin e numrit të personelit, numrit të pyetësorëve dhe materialit tjetër shtesë për Regjistrimin e Popullsisë, të planifikuar në vitin 2021.  
Prezantimin e metodës inovative për mbledhjen e të dhënave CAPI (Intervistimi Personal i Asistuar me Kompjuter) e bëri z. Burim Limolli, udhëheqës i Sistemeve Informative në ASK. Ndër të tjera, ai prezantoi avantazhet e përdorimit të metodës CAPI, përmes së cilës ASK mëtohet përmirësimi i cilësisë së të dhënave, shkurtimi i afateve kohore për mbledhjen e të dhënave, kostoja më efektive dhe zgjidhja më e qëndrueshme, si dhe përpunimi më efikas i të dhënave statistikore.
 
CAPI ofron një varg funksionalitetesh, duke përfshirë nivele të shumta të validimit, marrjen e të dhënave para dhe informacionin e saktë të vendndodhjes së anketuesit, kohëzgjatjen e marrjes së pyetjeve në terren etj.
Ndërkaq, sipas z. Idriz Shala, Ekspert i GIS-it, azhurnimi do të realizohet duke i regjistruar në terren  të gjitha ekonomitë familjare dhe duke i identifikuar të gjitha objektet ndërtimore, në kuadër të qarqeve regjistruese (QR).
Përmes këtij projekti do të sigurohen të dhënat për: numrin e  familjeve në një ekonomi familjare; numrin e popullsisë sipas gjinisë dhe etnicitetit; numrin i ekonomive familjare në ndërtesë; objektet ndërtimore të banuara/zbrazëta; numrin e banesave në ndërtesë; numrin e kateve në ndërtesë etj.
Puna në terren do të fillojë më 5 shtator deri më 31 dhjetor 2019.