/media/3899/img_0280.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=131644656180000000

Ligjëratë me studentë të Universitetit të Prishtinës/ Fakulteti Filozofik “Sistemi Statistikor i Republikës së Kosovës dhe Qasja në Statistika Zyrtare”

01/03/2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vazhdën e aktiviteteve të saj, sot ka realizuar një ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” me studentët e Universitetit të Prishtinë/Fakulteti Filozofik me temën “Sistemi Statistikor i Republikës së Kosovës dhe qasja në Statistika Zyrtare” .

Ligjëratën e mbajti Kryeshefi Ekzekutiv në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, i cili bëri një prezantim të shkurtër duke krahasuar skemën e sistemit në të kaluarën e afërt me sistemin e tanishëm të Sistemit Statistikor të Kosovës. Ai, po ashtu foli rreth: statusit dhe financimit të ASK-së; organogramit aktual të ASK-së; Këshillit Statistikor të Kosovës dhe funksionimin e detyrat e këtij këshilli; Programit afatgjatë 5-vjeçar statistikor; planet dhe raportet vjetore; ciklit të planifikimit; burimet e të dhënave dhe të regjistrave statistikorë; buxhetit dhe donatorët; prioritetet në periudhën e kaluar dhe prioritetet në periudhën afatgjate 2018-2022; numrit të prodhimeve statistikore 2012-2017; numrit të vizitorëve në ueb faqen e ASK-së; si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ASK-ja.

Kurse, një demonstrim për qasjen në të dhënat e statistikave zyrtare dhe promovimin e platformës ASKData e bëri z. Burim Limolli.

Qëllimi i kësaj ligjërate ishte inkurajimi i marrëdhënieve jo-formale profesionale ndërmjet institucioneve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë përfitimi i njohurive për statistika zyrtare dhe shfrytëzimi i tyre për hulumtime shkencore.

Kjo ligjëratë u organizua nga Qendra për Zhvillimin e Karrierës (QZHK) e Universitetit të Prishtinës.