/media/2894/eurostat.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=131332844820000000

Flamuri i Kosovës në EUROSTAT (Foto)

07/03/2016

Institucioni kosovar që ka arritur të përmbushë kriteret dhe të bëhet pjesë e një institucioni të madh evropian, është Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Ky institucion tashmë është pjesë e Eurostatit, e në faqen zyrtare të ofrimit të shërbimeve për të interesuarit është edhe vegëza me flamurin e Republikës së Kosovës.

Edhe pse me shumë pengesa, integrimi i institucioneve të veçanta të Kosovës në organizatat e ndryshme rajonale dhe tëBE-së, edhe më tej po vazhdon.

Njëra prej të cilave ka pasur sukses në këtë drejtim është Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ajo tashmë është anëtare e Eurostatit, që nga viti 2013, institucionit të vetëm të BE-së për mbledhje të informacioneve.

Për më tepër, flamuri i Kosovës tashmë është i vendosur në faqen zyrtare të Eurostatit.

Kështu duket faqja e internetit e Eurostatit për ndihmë qytetarëve të vendeve të BE-së dhe rajonit.

Vendosja e flamurit të Kosovës krahas vendeve të tjera të BE-së dhe rajonit është ngritja e Qendrës për Mbështetje në shumë gjuhë për përdoruesit e statistikave evropiane.

Nëpërmjet saj, lejohet parashtrimi i pyetjeve në gjuhën, që flitet në shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet potenciale për anëtarësim.

Në mesin e tyre, pjesë e këtij sistemi, që nga viti 2013, është edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe ofron mbështetje për përdoruesit e statistikave evropiane në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

Pra, kjo lidhëz, përveç që dërgon të dhëna kombëtare në Eurostat, ajo i ndihmon shfrytëzuesit e saj edhe në gjetjen e këtyre të dhënave, por edhe të dhënave të tjera të shteteve anëtarë të BE-së.

Vegëza ku është i vendosur flamuri i Republikës së Kosovës ju dërgon direkt në Qendrën për Mbështetje për statistika evropiane në gjuhën shqipe, e që menaxhohet nga ASK-ja, në bashkëpunim të ngushtë me Eurostat-in.

Aty do të gjeni një “interface” në gjuhën shqipe, ku mund të bëni një kërkesë për llojin e të dhënave, që keni hasur në vështirësi për t’i gjetur në ueb-faqen e Eurostat-it.

Ekspertët për mbështetje ndaj përdoruesve, janë ata pastaj që asistojnë për gjetjen e informacionit, lidhur me të dhënat e BE-së dhe informacione të tjera, që janë në dispozicion në ueb-faqen e Eurostat-it.

Gjithashtu, ata do t’ju ndihmojnë në verifikimin e të dhënave, ju sigurojnë informacione shtesë mbi metodologjinë dhe ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve teknike, duke ofruar përgjigje në gjuhën shqipe, brenda 5 ditëve të javës.

Për të pasur qasje në këtë vegëz, së pari duhet krijuar një llogari, e pastaj të qaseni.

Në vegzën e flamurit të Kosovës, nuk ka publikime por vetëm forma, ku mund të bëni kërkesë nëse keni hasur në vështirësi në gjetjen e informacionit në ueb-faqen e Eurostat-it.