Vlerësimi i Popullsisë, 2017

  • 28/06/2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Vlerësimin e Popullsisë”  për vitin 2017.

Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi.

Kjo,  për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, një komune a një vendbanimi.

Të dhënat vjetore statistikore mbi popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Sidomos, analiza për çështjet sociale dhe ekonomike në nivele të caktuara: komunale, kombëtare dhe rajonale. Të dhënat mbi popullsinë përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimet e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.

Gjatë vitit 2017 popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 20 406, ose shprehur në përqindje, u rrit për 1.13%.  Gjatë vitit 2017 është vlerësuar se 9 376 persona kanë ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre. Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) në Kosovë për vitin 2017 ishte (-5 431 banorë).

Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2017 u rrit për 14 975 banorë, ose 0.84%.

Popullsia në Kosovë për vitin 2017 vlerësohet të jetë 1 798 506 banorë rezidentë.