Vlerësim mbi numrin e popullsisë së Kosovës 2011

  • 06/03/2013

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) çdo vit bën vlerësimin e numrit të popullsisë në nivel vendi. Më pas, këtë shifër e përdor si indikator themelor për analiza dhe planifikime të tjera.

Prandaj,  për të gjithë shfrytëzuesit e të dhënave, këto janë të dhënat e fundit zyrtare të vlerësuara për numrin e popullsisë së Kosovës në nivel të komunave për vitin 2011. Vlerësimi i ardhshëm (për vitin 2012) do të bëhet deri nga mesi i vitit 2013.

Ne këtë raport është dhënë sqarimi për shfrytëzuesit e të dhënave mbi: metodologjinë, kualitetin e të dhënave, harmonizimin, korrigjimin e mospërputhjeve, cilësinë  duke përfshirë  qartësinë e redaktimit.

Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se, në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, një komune a një vendbanimi.

Të dhënat vjetore statistikore mbi popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Sidomos, analiza për çështjet sociale dhe ekonomike në nivele të caktuara: komunale, kombëtare dhe rajonale. Të dhënat mbi popullsinë përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimet e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.

Deri në regjistrimin e parafundit zyrtar, atë të vitit 1981, edhe popullsia që punonte dhe jetonte për një kohë jashtë Kosovës është llogaritur si popullsi e vendit. Pra, vlerësimet e mëhershme për numrin e popullsisë përfshinin edhe popullsinë jo-rezidente. Ndërkohë, me Regjistrimin e fundit të Popullsisë të vitit 2011 është përfshirë vetëm popullsia rezidente.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në këtë raport ka bërë vlerësimin e popullsisë rezidente për vitin 2011, duke respektuar ligjet themelore statistikore në fuqi: Ligjin  për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (Ligji Nr. 03/L-237) dhe Ligjin për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës (Ligji Nr. 04/L-036) të miratuara gjatë vitit 2010-2011. Po ashtu, ASK-ja ka respektuar edhe ndryshimet në definicionin mbi popullsinë rezidente të një vendi dhe rekomandimet e UNSD[1] dhe EUROSTAT-it[2],  krahasuar me regjistrimet e mëhershme 1948, 1953, 1961, 1971 dhe 1981.

 

Në këtë raport, është shpjeguar edhe koherenca e të dhënave, ku për qartësi të shfrytëzuesve janë përdorur elaborime shtesë, si dhe tabela të veçanta, për të arritur deri te të dhënat përfundimtare (tabelat finale).