Treguesit kryesorë të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (e njohur si MICS)

  • 27/05/2015

Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me UNICEF-in ka publikuar dy raporte me treguesit kryesorë të dalë nga Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (e njohur botërisht si MICS). 
Anketa e MICS-it është realizuar në Kosovë në vitet 2013-2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si pjesë e programit global të MICS-it, të krijuar nga UNICEF-i në vitet 1990. MICS-i në Kosovë është organizuar paralelisht edhe te komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, për të cilët anketa është bazuar në një mostër të veçantë. 
MICS-i siguron informatat e fundit për vlerësimin e gjendjes së fëmijëve, femrave dhe meshkujve, si dhe të dhëna për monitorimin e strategjive dhe planeve ekzistuese të veprimit. 
Në Anketën e MICS-it me popullatën e përgjithshme janë intervistuar 4,127 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 10,000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 94%. 
Ndërkaq, në Anketën e MICS-it me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë intervistuar 1,118 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë rreth 3,000 intervista individuale me femra, meshkuj dhe nëna (ose kujdestarë), me një shkallë shumë të lartë të përgjigjes, prej 95%.
Raporti final i Anketës së MICS-it pritet të publikohet në shtator të vitit 2015.


Disa nga gjetjet kryesore të MICS-it për Kosovën janë:

•    1 në 8 femra në Kosovë kanë pasur së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit;
•    15 fëmijë në çdo 1,000 të lindur të gjallë nuk do ta arrijnë ditëlindjen e tyre të pestë (shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç, apo probabiliteti i vdekjes ndërmjet lindjes dhe ditëlindjes së pestë);
•    2 në 5 femra në Kosovë praktikojnë të ushqyerit vetëm me gji (të ushqyerit ekskluziv me gji);
•    2.3 është shkalla e përgjithshme e fertilitetit për femrat e moshës 15-49 vjeçare në Kosovë;
•    1 në 3 femra në Kosovë nuk janë duke përdorur asnjë metodë kontraceptive dhe më shumë se gjysma e tyre janë duke përdorur tërheqjen, e cila nuk konsiderohet metodë moderne;
•    Vetëm 14% e fëmijëve në gjithë Kosovën vijojnë arsimin në moshë të hershme;
•    Vetëm 6% e baballarëve janë angazhuar me fëmijët e tyre, në katër ose më shumë aktivitete, që promovojnë të mësuarit dhe përgatitjen për shkollim, në 3 ditët të fundit;
•    11% e fëmijëve janë të angazhuar në punë;
•    2 në 3 ekonomi familjare kanë praktikuar ndonjë form të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose edhe dhunë fizike gjatë muajit të fundit;
•    Pothuajse, gjysma e femrave deklarojnë se një burrë arsyetohet ta godasë ose ta rrahë gruan e tij, për arsye ose rrethana të ndryshme (9 arsyet).

 

Disa nga gjetjet kryesore të MICS-it te komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë janë:

•    Gjysma e femrave në komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë kanë pasur së paku një lindje të gjallë në 2 vitet e fundit;
•    49 fëmijë në çdo 1,000 të lindur të gjallë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë, nuk do ta arrijnë ditëlindjen e tyre të pestë (shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç, ose probabiliteti i vdekjes ndërmjet lindjes dhe ditëlindjes së pestë);
•    Vetëm 1 në 6 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë praktikojnë të ushqyerit vetëm me gji (të ushqyerit ekskluziv me gji);
•    Vetëm 1 në 3 fëmijë nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë plotësisht të vaksinuar (kanë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara sipas kalendarit të imunizimit në Kosovë);
•    3.7 është shkalla e përgjithshme e fertilitetit për femrat e moshës 15-49 vjeçare nga Komuniteti RAE në Kosovë;
•    Pothuajse, gjysma e femrave nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë nuk janë duke përdorur asnjë metodë kontraceptive dhe shumica e tyre janë duke përdorur tërheqjen, e cila nuk konsiderohet metodë moderne;
•    1 në 4 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë nuk dinë shkrim-lexim (analfabet);
•    17% e fëmijëve nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë janë të angazhuar në punë;
•    4 në 5 ekonomi familjare në komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë kanë praktikuar ndonjë form të disiplinimit të dhunshëm (dhunë psikologjike, ose dhunë fizike gjatë muajit të fundit);
•    3 në 4 femra nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë deklarojnë se një burrë arsyetohet ta godasë ose rrahë gruan e tij për arsye ose rrethana të ndryshme (9 arsyet);
•    12% e femrave nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë janë martuar para moshës 15 vjeçare dhe 43% para moshës 18 vjeçare.   
MICS në Kosovë është realizuar me mbështetjen financiare të: UNICEF-it, Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Dukatës së Madh të Luksemburgut, UNFPA-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Ndërkohë që, UNICEF-i, UNFPA-ja dhe MPMS-ja, si dhe Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyra për Planifikim Strategjik dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ishin të përfaqësuar në Grupet Teknike dhe Drejtuese Ndër-ministrore. Mbështetja teknike është ofruar gjatë gjithë procesit nëpërmjet delegimit të stafit dhe konsulentëve të UNICEF-it për të punuar së bashku me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, gjatë të gjitha fazave të implementimit të këtyre anketave. Pa shoqërimin dhe mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë këto dy anketa nuk do të ishin të mundura. Agjencia e Statistikave të Kosovës është mirënjohëse ndaj Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për bashkëpunimin.