Sistemi Statistikor i Kosovës edhe profesionalisht bëhet pjesë e Sistemit Statistikorë Evropian

  • 28/02/2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Raportin “Peer Review mbi përputhshmërinë e Sistemit Statistikor të Republikës së Kosovës me Kodin e Praktikës së Statistikave Evropiane dhe Rolin Koordinues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës”

Ky vlerësim ndërkombëtar profesional nga ekipi “Peer Review” i Eurostatit e vendos Sistemin Statistikor të Kosovës në Sistemin Statistikor Evropian dhe e vlerëson në bazë të 15 parimeve të Kodit të Praktikës së Statistikave Evropiane, ashtu si çdo sistem statistikor i vendeve të BE-së dhe Rajonit.

Sipas Raportit “Peer Review” konsiderohet që ASK-ja është në përputhje me Kodin e Praktikës së Statistikave Evropiane, ku rekomandohet që të zhvillohet edhe më shumë konsolidimi i kuadrit institucional, rritja e burimeve dhe përmirësimi i kost-efektivitetit, zhvillimi i menaxhimit të cilësisë dhe metodologjisë, si dhe forcimi i marrëdhënieve me përdoruesit.

Ndër fushat që ekipi “Peer Review” vlerëson në Sistemin Statistikor të Kosovës janë që kuadri ligjor i Sistemit Statistikor të Kosovës është gjithëpërfshirës dhe mbulon fushat kryesore, të cilat rregullojnë statistikat zyrtare në BE dhe që pavarësisht se ASK-ja si institucion i ri, gëzon nivel të lartë të besueshmërisë dhe pavarësisë së saj institucionale. Po ashtu, duke përdorur dispozitat e Ligjit mbi Statistikat Zyrtare, ASK-ja ka zhvilluar përdorimin e gjerë të të dhënave administrative dhe ka krijuar bashkëpunim të ngushtë me ofruesit e të dhënave administrative përmes grupeve punuese, ku diskutohen karakteristikat teknike të këtyre burimeve. Në anën tjetër, faqja e re e internetit e ASK-së është moderne dhe atraktive, që unanimisht vlerësohet nga të gjithë përdoruesit. Të gjitha publikimet dhe njoftimet për shtyp publikohen në mënyrë sistematike në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, duke mundësuar shikueshmëri të madhe ndërkombëtare.

Ekipi “Peer Review” sugjeron që në rishikimin e Ligjit mbi Statistikat Zyrtare të ofrohet mundësia e zgjatjes së mandatit të Kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së dhe të përforcohet përgjegjësia e tij/e saj lidhur me metodologjinë statistikore, si dhe Ligji të përmbajë dispozita për zbatimin e përfshirjes së ASK-së në dizajnimin dhe modifikimin e të dhënave administrative.

Ekipi “Peer Review” sugjeron që ASK-ja të vendosë autoritetin e saj si koordinatore e Sistemit Statistikor dhe p.sh. të vendosë kritere për statistika zyrtare, meqë roli i saj koordinues është ende në zhvillim në kontekst të institucioneve te reja statistikore.

Po ashtu, ekipi “Peer Review” vlerëson se burimet financiare janë të pamjaftueshme që ASK-ja ta përmbush mandatit e saj kombëtar dhe ndërkombëtar, pavarësisht se gjatë viteve të fundit janë rritur vazhdimisht. Po ashtu, ASK-ja inkurajohet që të vazhdojë me rialokimin e burimeve nga shtatë zyret rajonale, duke përfituar nga përdorimi i teknologjive të reja, në mënyrë që ta rrisë produktivitetin.

Ekipi “Peer Review” inkurajon ASK-në që t’i forcojë marrëdhëniet për përdorues, në veçanti me akademinë (universitetet dhe institutet hulumtuese) për të marrë komente mbi prodhimet e saj dhe për ta nxitur bashkëpunimin p.sh. për zhvillimin e analizave të statistikave të saj.

Procesi “Peer Review” është vlerësim i Sistemit Statistikor Evropian, i rregulltë në vendet e BE-së. Ky proces ka filluar edhe në vendet në zgjerim. Në Kosovë, është zhvilluar për herë të parë nga 24 – 28 korrik 2017, ku pjesë e ekipit profesional të përcaktuar nga Eurostati ishin tre ekspertë: z. Jean-Michel Durr (udhëheqës i ekipit, Francë), z. Peter Hackl (Austri), z. Marius Anderson (Eurostat).

Eurostati, tashmë e ka publikuar Raportin final “Peer Review” për Kosovën, në të cilin janë dhënë edhe rekomandimet e ekspertëve për Sistemin Statistikor të Kosovës. Shih: http://ec.europa.eu/eurostat/web/enlargement-countries/publications/reports

Ky proces shënon arritjen më të madhe të Statistikave Zyrtare të Republikës së Kosovës, në kuadrin e vlerësimit profesional ndërkombëtar, nga ekspertë të njohur evropianë. Në këtë rast, Sistemi Statistikor i Kosovës është vlerësuar sipas 15 Parimeve të njohura nga Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane.

Për më shumë informata, lidhur me Raportin “Peer Review” 2017, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/footer/planet-dhe-raportet