Rezultatet mbi Parashikimin e Popullsisë në Kosovë, 2017-2061

  • 14/12/2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me mbështetje teknike nga ana e UNFPA-s ka prezantuar sot rezultatet e e Raportit të dytë mbi parashikimin e popullsisë në Kosovë, 2017-2061. Me këtë rast, në ambientet e Hotelit Swiss Diamond u organizua një Konferencë, në të cilën morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe mediat.

Në panel të pranishëm ishin: Koordinatori për Zhvillim dhe përfaqësues i UNFPA-s, z. Andreë Rusell; Koordinatori Kombëtar i MCC-së për Kosovë, z. Petrit Selimi; dhe Udhëheqësja e Programit të UNFPA-s në Kosovë, znj. Visare Mujko-Nimani. Ndërkaq, për koordinimin dhe metodologjinë e aplikuar në këtë raport foli Prof. Nico Keilman nga Departamenti i Ekonomisë is Universitetit të Oslos, si dhe për sfidat dhe shfrytëzimin e këtyre rzultateve foli z. Avni Kastrati, drejtori Statistikave socilae në ASK.

Në fjalën e tij hyrëse në Konferencë, Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, z. Isa Krasniqi foli rreth rëndësisë së këtij publikimi pasi që është një orientim shumë i dobishëm për trendët e popullsisë deri në vitin 2061, që do t’i ofrohet publikut të gjerë brenda dhe jashtë Kosovës. Po ashtu, ky raport do të jetë shumë i dobishëm për demografët, staticientët, hulumtuesit, analistët etj., që të bëjnë analizat kohore dhe komponentët e saj për vitet e ardhshme me hipotezat e cekura për zhvillimet e fertilitetit, mortalitetit dhe migrimit, si dhe do të jenë të rëndësishme për të analizuar trendët demografike në vend. Të dhënat e këtij Raporti duhet të konsiderohen si alarmi i fundit për trendet drastike të rënies së numrit të popullsisë në Republikën e Koosvës në periudhat e ardhshme.

Krejt në fund, ai falënderoi të gjithë kontribuesit e në veçanti falënderoi organizatat ndërkombëtare , si UNFPA-n që në vazhdimësi e ndihmojnë ASK-në në realizmin e projekteve madhore. Po ashtu, ai falëndëroi edhe z. Petrit Selimi për kontributin e tij.

Z. Andreë Rusell tha se “në Kosovë duhet të jemi të informuar në termin se si popullata e formëson botën në të cilën jetojmë”. Ai tha se “për ndalimin e migrimit të të rinjve jashtë Kosovës duhet të ofrojmë reforma dhe përparime në përmirësimin e jetës së tyre. Kemi një mundësi të investojmë në arsim për edukim profesional, që të punojmë që ata të rriten në një ambient të mirë dhe të jetojnë në një ambient ku nuk vuajnë nga të metat e ambientit”.

Z. Petrit Selimi foli rreth sondazhit prej 32 mijë respondentëve të realizuar nga MCC dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai po ashtu, e vlerësoi lartë punën e ASK-së për punën e bërë “Puna që po bën ASK-ja në zhvillimin dhe përsosjen e metodologjisë është një prej kontributeve më të mëdha që bën, por që nuk dihet nga vendimmarrit tanë”.

Znj. Visare Mujko-Nimani tha se statistikat e gjendjes së popullsisë njoftojnë politikëbërësit për gjendjen e vendit pas shumë vitesh, parashikojnë jetën e një vendi për sektorë të ndryshëm. “Ky raport është hulumtimi më i rëndësishëm për planifikim afatgjatë, ku politikbërësit mund të shohin gjendjen e popullsisë pas shumë vitesh se çka parashihet për kërkesat e ujit, shërbimet publike (arsimore, shëndetësore). Statistikat njoftojnë politikëbërësit për të ardhmen e vendit, i njoftojnë ata për ndonjë gjendje të pakënaqshme që mund të vije pas shumë vitesh”, tha ndër të tjera znj. Nimani..

Një prezantim më të detajuar në tri variante (të lartë, të mesëm dhe të ulët) e bëri Prof. Keilman, i cili tha se për planifikime dhe analiza të ndryshme duhet orientuar tek varianti i mesëm. Ndërkaq, varianti i lartë dhe i ulët japin të ardhmet demografike që kanë më pak gjasa për të ngjarë.

Ndërkaq, z. Avni Kastrati në prezantimin e tij paraqiti të dhënat e detajuara për trendet demografike në të ardhmen duke prezantuar shifra shqetësuese rreth popullsisë. Kështu, të dhënat demografike sipas grup-moshave të ndara nëpër dekada, sipas variantit të mesëm janë: 1,783,531 në 2017; 1,809,458 në 2021; 1,818,674 në 2031; 1,759,492 në 2041; 1,652,090 në 2051; dhe 1,492,192 në 2061.