Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF), 2016

  • 12/06/2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2016. Ky publikim ofron të dhëna për konsumin, shpenzimet, të ardhurat e ekonomive familjare  etj.

Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2016 ishte 2 321 milionë Euro, ndërsa për ekonomi familjare 7 539 Euro, si dhe për kokë banori 1 460 Euro.  Konsumi i  përgjithshëm në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015, ka një rënie të lehtë prej 5.7%, ndërsa konsumi për kokë banori ka një rritje prej 2%. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2016 është shpenzuar për ushqim (42%) dhe për banim (29%). Pasojnë shpenzimet për veshmbathje me 5% dhe nga 4% për transport, alkool, duhan dhe për mobilje.

Ndërkaq, krahasuar me vitin 2015, në vitin 2016 ushqimi nga prodhimi vetanak në konsumin e përgjithshëm ka shënuar një rënie të vogël prej 6%.

Konsumi i ushqimit në Kosovë në vitin 2016, sipas rezultateve të ABEF-it, dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë në më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas, radhiten perimet dhe pijet joalkoolike. Konsumimi i bukës dhe i drithërave në vitin 2016 ka qenë 17%, sa ishte edhe në vitin 2015.

Kurse, burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare sipas ABEF 2016, del të jenë rrogat nga sektori privat dhe ai publik, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat, të cilat kanë pasur një rënie për 1%, krahasuar me vitin 2015.