Parashikimi i Popullsisë në Kosovë 2011-2061

  • 19/12/2013

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka dalë sot me publikimin Parashikimi i Popullsisë së Kosovës 2011-2061 bazuar në Rezultatet Përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. 

Ky është publikimi i parë në Kosovë i kësaj natyre, me kritere dhe standarde ndërkombëtare për parashikime (projeksione) të popullsisë.
Raporti mbi Parashikimin e Popullsisë së Kosovës 2011-2061 është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e UNFPA-së, si dhe është financuar nga buxheti i Fondit të Mirëbesimit për Regjistrimin e Popullsisë.
Me këtë rast, në Hotelin “Sirius” u organizua një Konferencë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe mediat.

Të pranishëm në panel ishin: Znj. Visare Mujko-Nimani nga UNFPA në Prishtinë;  si dhe Z. Kadri Sojeva dhe Z. Avni Kastrati ekspertë vendorë nga ASK-ja. Kurse, Fjalën hyrëse në Konferencë e mbajti Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Z. Isa Krasniqi.

Raporti paraqet parashikimet e popullsisë së Kosovës për një periudhë 50 vjeçare, duke filluar nga viti 2011-2061 sipas moshës dhe gjinisë. Ky raport është i rëndësishëm pasi është një orientim për trendet e popullsisë deri në vitin 2061. Pa një raport të tillë do të ishte një mangësi për t’u orientuar rreth planifikimeve strategjike për nevojat  ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore etj. 
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Z. Isa Krasniqi falënderoi të gjithë donatorët që kanë ndihmuar në Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011, duke filluar nga Zyra e BE-së në Kosovë, Suedinë, Zvicrën, Danimarkën dhe Luksemburgun. Më pas, ai tha se “Raporti paraqet tri opsionet e trendeve demografike për periudhën e marrë në konsiderim: Varianti i lartë, Varianti i mesëm dhe Varianti i ulët. Ku për shfrytëzuesit e të dhënave, rekomandohet që të shfrytëzohet varianti i mesëm për planifikime dhe analiza të ndryshme”. 

Z. Krasniqi, foli edhe për metodologjinë e aplikuar si një standard që aplikohet nga të gjitha agjencitë statistikore në botë. Kjo është Metoda e Komponentit të Grupit me Veti të Përbashkëta (MKGVP) për parashikimet e  popullsisë, me të cilën merren për bazë: Norma e vdekshmërisë specifike për moshën dhe gjininë, si alternativë e jetëgjatësisë së supozuar sipas gjinisë; Norma e lindshmërisë sipas moshës së nënës; Shifrat e  migrimit neto të ndarë sipas moshës dhe gjinisë. 
Për demografët, staticientët, analizat kohore dhe komponentët e saj, për vitet e ardhshme me hipotezat e cekura për zhvillimet e fertitilitetit, mortalitetit dhe migrimit, do të jenë të rëndësishme për t’i analizuar trendet demografike në vend, si dhe për zonat e caktuara në të ardhmen. 
Këto të dhëna do të ndihmojnë edhe në përgatitjen e planeve, strategjive, analizave e hulumtimeve të tyre, siç janë ato për strehimin, shkollimin, shëndetin, shërbimet e ndryshme, transportin etj.

Prandaj, parashikimi i zhvillimeve demografike për një periudhë 50 vjeçare, duke përfshirë moshën dhe gjininë do të jenë të rëndësishme, si në nivel kombëtar ashtu dhe lokal.

Kurse, në fjalën e saj, përfaqësuesja e UNFPA-së, në Prishtinë, znj. Visare Mujko-Nimani tha se “UNFPA-ja do të vazhdojë edhe në të ardhmen me përkrahjen e ASK-së për ngritjen e kapaciteteve dhe përkrahjen e politikë-bërësve si dhe përpilimin e politikave të popullsisë.  

Prezantime më të detajuar bënë ekspertët e ASK-së, Z. Avni Kastrati dhe Z. Kadri Sojeva.

Në fund, Konferenca u pasua edhe me pyetje dhe diskutime.