Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNOPS-it për Regjistrimin e Popullsisë 2021

  • 27/03/2019

Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNOPS-it për Regjistrimin e Popullsisë 2021

Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021 është një nga projektet më kapitale, që realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Sot, në zyrën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Dr. Enver Hoxhaj është nënshkruar Marrëveshje e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyres së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve, UNOPS, lidhur me Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021.

Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021 është një nga projektet më kapitale, që realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se “ky proces është me rëndësi kapitale, andaj, duhet një angazhim i të gjithëve që të realizohet me profesionalizëm të lartë dhe sipas standardeve ndërkombëtare, të jetë kredibil si në aspektin nacional, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar”.

“Fondi do të menaxhohet si program  - gjegjësisht Fond i shumë partnerëve (Multi Partner Fund) dhe në të cilin krahas Qeverisë së Kosovës do të bashkohen edhe partnerë dhe donatorë të tjerë potencialë ndërkombëtarë, siç janë: Zyra e BE-së, Swiss Development Cooperation, Qeveria e Gjermanisë, Qeveria e Suedisë – SIDA, Qeveria e Norvegjisë, Luksemburgut, Danimarkës si dhe përfaqësitë e qeverive të tjera dhe donatorë të tjerë në Kosovë”, tha Hoxhaj.

Sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar sot, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) si bartëse e projektit do ta zbatojë projektin në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS-in, i cili do të menaxhojë me fondin e krijuar për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve të projektit.

Projekti do të qeveriset përmes Komitetit Drejtues, anëtarët e të cilit do të jenë të gjithë pjesëmarrësit në fond. Qeveria e Kosovës do të financojë 40% të projektit, kurse partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë do të financojnë 60% të projektit.

Më tej, Zv.Kryeministri Hoxhaj tha se “Zyra ime, në bashkëpunim të ngushtë me ASK-n dhe UNOPS-in do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për sigurimin e mjeteve të nevojshme për zbatimin e suksesshëm dhe pa pengesa të këtij projekti”.