Gratë dhe Burrat në Kosovë, 2014/2015

  • 14.12.2016

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, për vitet 2014/2015.

Rezultatet e këtij publikimi u prezantuan sot në Konferencën e organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e përkrahur nga projekti i Statistikave të Suedisë (SCB)/Sida.

Me rastin e shpalljes së rezultateve të raportit  “Gratë dhe Burrat në Kosovë, 2014/2015”, në Konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare e vendore, me të cilët u diskutua rreth rëndësisë së këtyre të dhënave nga perspektiva evropiane dhe të tjera.

Konferencën e hapi Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili ndër të tjera falëndëroi institucionet ndërkombëtare dhe vendore, a në veçanti projektin e Statistikave të Suedisë (SCB)/Sida për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep ASK-së për realizimin e projekteve me rëndësi.

Të dhënat statistikore në këtë raport janë afatgjata dhe me analiza të shkurtra, të cilat pasqyrojnë situatën gjinore në Kosovë, sipas sektorëve të jetës ekonomike dhe sociale.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, përdori të gjitha burimet e të dhënave të disponueshme, të cilat ofronin një informacion statistikor, të plotë për të ndihmuar në perceptimin e situatës gjinore.

Të dhënat statistikore grumbullohen dhe publikohen të ndara sipas gjinisë, çdo dy vjet, sipas këtyre kapitujve: Popullsia, Shëndetësia dhe Mirëqenia, Arsimi, Mbrojtja Sociale, Jurisprudenca, Tregu i Punës, Të ardhurat, Shfrytëzimi i Kohës dhe Vendimmarrja.

Ndërkaq, prezantimin e raportit “Gratë dhe Burrat në Kosovë 2014/2015 e bëri znj. Sanije Uka, shefe e sektorit të popullsisë. Znj. Uka paraqiti disa fakte të rëndësishme të dala nga ky raport:
•    Koeficienti i maskulinitetit ishte 110.1 meshkuj për 100 femra – më i lartë se raporti i përgjithshëm i popullsisë;
•    Mosha mesatare e të martuarve ishte për burra 30.8 vjeç dhe për gra 27.3 vjeç;
•    Të dhënat e fertilitetit tregojnë rënie, 2 fëmijë për një grua;
•    Shkalla e punësimit te gratë ishte 11.5%, ndërsa te burrat 38.7%; dhe
•    Shkalla e papunësisë për gratë ishte 36.6%, ndërsa 31.8% për burrat.


Për më shumë informata rreth raportit “Gratë dhe Burrat në Kosovë” 2014/2015, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/demografia-dhe-migracioni