Bruto Produkti Vendor (BPV), TM3 2016

  • 29.12.2016

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Bruto Produktin Vendor” (BPV) për tremujorin e tretë (TM3) 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

BPV-ja në TM3 të vitit 2016 shënon rritje reale për 3.8%, në krahasim me TM3 të vitit 2015. 

Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: Industria nxjerrëse me 9.6%; aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 9.3%; hotelet dhe restorantet me 7.5%; tregtia me shumicë dhe pakicë me 4.9%; bujqësia, gjuetia, pylltaria me 0.7%; shërbimet e tjera me 0.5%; dhe afarizmi me pasuri të patundshme me 0.1%.

Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: ndërtimtarisë (4.0%); furnizimit me energji elektrikë, ujë dhe trajtim të mbeturinave (3.3%); industrisë përpunuese (2.2%); administrimit publik (0.9%); dhe të transportit dhe magazinimit (0.5%).

BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe Institucionet Jopërfituese në Shërbim të Ekonomive Shtëpiake (IJPSHESH) me 6.8%; formimin e bruto kapitalit me 1.1%; importin e mallrave dhe shërbimeve me 5.1%; dhe në eksportin e mallrave dhe shërbimeve 2.5%. 

Ndërsa, rënie reale kishte te shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (2.0%).
 

Për më shumë informata lidhur me “Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e tretë të vitit 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve (me çmime aktuale dhe konstante), vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/llogarite-kombetare-bpv