Anketa e Ekonomive Bujqësore, 2018

  • 28/06/2019

Në Kosovë, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 418 581.76 hektarë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) për vitin 2018

Ky publikim ofron të dhëna për shfrytëzimin e tokës bujqësore, kulturat bujqësore, blegtorinë, inputet bujqësore (plehrat minerale, organike, pesticidet) dhe shpenzimet në ekonomitë bujqësore.

Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se në Kosovë sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 418 581.76 hektarë (përfshirë tokën e përbashkët). Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe u përket: livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 52.1 %), si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 45.0 %, kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanet) 2.6%, dhe kopshtet me 0.2%.

Nga gjithsej tokë e punueshme – ara (188 359.07 ha), pjesa më e madhe është me drithëra 123 869,20 ha (65.8 %); bimë foragjere me 36 208,81 ha (19.2%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 9 289,06 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 8,286.37 ha (4.4%); patate 3 606.21 ha (1.9 %); bishtajore 2 969.41 ha (1.6%); bimë industriale 328.61 ha (0.2%); kultura të tjera 2 318.37 ha (1.2%) dhe tokë djerrinë 10 772.09 ha (5.7 %).

Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, është 29 015.86 ha. Kurse, gjithsej sipërfaqja e trajtuar me pesticide ishte 116 998.64 ha.

Sipas rezultateve të AEB 2018, numri i gjedheve ishte 258 662 krerë; i deleve është 181 105 krerë; i dhive është 28 703 krerë; i derrave është 40 164 krerë; i njëthundrakëve (kuaj, mushka, gomarë) është 1 944 krerë; i shpezëve (pula, qura, rosa dhe pata) është 2 568 032 krerë; dhe gjithsej numri i koshereve të bletëve ishte 182 476.

Metodologjia dhe standardet e aplikuara në AEB 2018 (përkufizimet – definicionet, pyetësori, dhe udhëzuesi) janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.

Për më shumë informata, lidhur me Anketa e Ekonomive Bujqësore (AEB), 2018: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/bujqesi/anketa-e-ekonomive-shtepiake-bujqesore