Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) për herë të parë ka dalë me Raportin “Migrimi kosovar”

  • 24/04/2014

Në konferencën të mbajtur sot (24 prill 2014), Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) për herë të parë ka dalë me Raportin “Migrimi kosovar”, ku janë prezantuar të dhënave për migrimin.

Raporti paraqet të dhënat e nxjerrura nga baza e regjistrimit të popullsisë 2011 si dhe burimeve të tjera për migrimin ndërkombëtar dhe atë kombëtarë (emigrimin-imigrimin).

Të dhënat mbi migrimin ndërkombëtar në këtë raport janë kryesisht për periudhën e migrimeve prej vitit 1969 deri në muajin prill 2011.

Popullsia rezidente e Kosovës, emigruese dhe ajo me prejardhje kosovare është 2,483,999. Popullsia rezidente në Kosovës është 1,780,021, popullsia emigruese jashtë Kosovës është 550,000, popullsia e vlerësuar me prejardhje kosovare (e lindur jashtë Kosovës) është 153,978, ndërsa numri i popullatës kosovare të emigruar dhe asaj me prejardhje kosovare është 703,978. Shteti ku mese shumti kanë emigruar kosovarët është Gjermania me 35.25%, e pasuar nga Zvicra me 22.94%.

Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi tha se Raporti për Migrimin, përmban aspektin demografik dhe atë socio-ekonomik të migrimit, kështu që për hulumtuesit, institucionet dhe organizatat e ndryshme, të dhënat për migrimin ndërkombëtar paraqesin një burim të rëndësishëm për të vlerësuar trendët e migrimit në aspektin riprodhues, gjinor dhe të moshës.

“Në aspektin ekonomik, të dhënat janë një bazë e mirë për të vlerësuar mundësinë e investimeve nga diaspora si dhe  remitencat.

 
Shfrytëzuesit e të dhënave, me anë të këtij raporti do të njihen për se afërmi me migrimin kombëtar, shkaqet e migrimit, periudhat e migrimit, moshën, gjinia  e të migruarve, si dhe aspektet tjera të përfshira në këtë raport”, tha Krasniqi.


Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Jorge Baca Voghan theksoi se një gjë që i ka bërë përshtypje, është fakti se pse kosovarët po largohem nga vendi.

“Faktori kryesor nxitës, me sa kuptoj unë gjithmonë ndërlidhet me punën  e parave. Njerëzit kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit dhe kur e shohim nivelin e  papunësisë në Kosovë, atëherë kjo patjetër lidhet me punën e migrimit, këtu ngritët alarmi, si arsye kryesore për largim nga Kosova, do të thotë situata ekonomike. Por jo, rezultatet këtu tregojnë se bashkimi familjar, është arsyeja kryesore për largim nga Kosova”, tha Bace Voghan.

Shefi i Divizionit të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati tha se nxjerrja e të dhënave reprezentative për migrimin, paraqet një nder sfidat për shumë shtete, për faktin se lëvizshmëria e njerëzve sot është shumë më e madhe se në të kaluarën.

Ai njoftoi se në këtë raport, ASK-ja ka bërë edhe  vlerësimin e numrit të popullsisë kosovare dhe asaj me prejardhje kosovare, kurse shtoi se numër i të emigruarve është më i madh.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është e vetëdijshme që ky numër i të emigruarve është më i madh, bazuar, se një pjesë e tyre gjatë regjistrimit të popullsisë nuk kishin anëtar të afërm për të dhënë informata mbi numrin anëtarëve të ekonomisë familjare që kishin emigruar më parë nga Kosova”, tha Kastrati.

Te dhënat për migrimin paraqesin një burim të rëndësishëm për të vlerësuar trendët e migrimit dhe ndikimin e tyre në aspektin ekonomik, atë riprodhues të popullsisë dhe ndikimin në sferat tjera të shoqërisë kosovare.

Të dhënat janë paraqitur në nivel të komunave dhe janë një bazë e mirë për të vlerësuar dhe planifikuar  aspektin e migrimit, si në nivel nacional, ashtu edhe atë komunal, sidomos të atyre  komunave me shkallë të lartë të migrimit.

Shfrytëzuesit e të dhënave me anë të këtij raporti, do të njihen për së afërmi për: shkaqet e migrimit, periudhat e migrimit, mosha e të migruarve, gjinia si dhe aspektet tjera të përfshira në këtë raport.